Shqipëria ka bërë hapa pozitivë në luftën kundër korrupsionit, por në këtë proces duhet të ketë vazhdimësi.
Është ky konkluzioni i raportit të Trupës Anti-Korrupsion të Këshillit të Europës, e cila vlerëson se nga 10 rekomandime, vendi ynë ka plotësuar katër, ndërsa ka arritur rezultate të pjesshme për gjashtë të mbeturat.
GRECO vlerëson Reformën në Drejtësi, por shprehet kritike për disa vonesa në procesin e vettingut.
Trupa anti-korrupsion e Këshillit të Europës ka vlerësuar punën e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, por thekson nevojën që të vazhdojë puna në këtë drejtim.
Në një raport të detajtuar, ky institicion vlerëson se vendi ynë ka bërë hapa pozitivë katër nga 10 rekomandimet që ju paraqitën në vitin 2014, ndërsa për gjashtë objektivat e tjerë janë përmbushur pjesërisht.
GRECO vlerëson se miratimi në Prill të këtij viti i Kodit të Sjelljes për deputetët, është dicka mjaft pozitive, pasi i detyron antarët e parlamentit të deklarojnë konfliktet e interesit.
Megjithatë, trupa anti-korrupsion shprehet se ka një mungesë qartësie mbi mënyrën se si zbatohen rregullat dhe sanksion në rast se ka shkelje.
Me nota pozitive shihet edhe deklarimi periodik i pasurive dhe i aseteve të deputetëve, një proces që tashmë kryehet në një kohë shumë më të shkurtër dhe publikohet në sajtin zyrtar në internet.
GRECO vlerëson më tej Reformën në Drejtësi si dhe procesin e vettingut që ka për qëllim të skanojë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.
Institucioni europian e mirëpret gjithashtu faktin se funksionimi i administratës gjyqësore s’do të jetë më pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, por e Këshillit të Lartë Gjyqsor dhe se KLGJ-ja do të jetë përgjegjëse për vendosjen e standarteve etike si dhe monitorimin e vazhdueshëm të punës.
Ndërkaq, një hap pozitiv është edhe krijimi i një Inspektoriati të Lartë Gjyqësor si autoritet përgjegjës për trajtimin e ankesave, investigimin e shkeljeve si dhe nisjen e procedimeve kundrejt të gjithë gjyqtarëve.
Një kritikë ndërkaq shkon për vonesat në procesin e vettingut për gjyqtarët.