Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda pret ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shqipëri, Faisal Ghazi Hifzi. Pasi u vlerësua niveli i mirë i marrëdhënieve dypalëshe, u vunë në dukje fakti i takimeve intensive të zhvilluara mes palëve dhe bashkëpunimi në rritjen e sigurisë për qytetarët. Ambasadori dhe kryepolici ‘rikonfirmuan vullnetin dhe gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit’, ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Mbretërisë së Arabisë Saudite, në fushat me interes. Kjo e përcaktuar edhe në marrëveshjen e firmosur në vitin 2023. Për vënien në zbatim të kësaj marrëveshje janë ngritur edhe grupet e punës në nivel teknik, nga të dyja palët.

“Gjatë takimit, u vlerësua gatishmëria e shprehur për mbështetjen e Policisë së Shtetit të Shqipërisë, në forcimin e kapaciteteve logjistike dhe profesionale përmes realizimit të trajnimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave”, thuhet në njoftimin zyrtar mes të tjerash.

Është dakordësuar edhe realizimi i një vizite të një delegacioni të lartë të Policisë së Shtetit në Arabinë Saudite, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe përfitimin e njohurive mbi mënyrën e funksionimit të strukturave të rëndësishme të luftës kundër krimit dhe të shërbimit për qytetarët, në Policinë e Arabisë Saudite. Proda vlerësoi ambasadorin e shtetit mik edhe për rolin e luajtur në ‘forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për ndëmjetësimin e tij për ofrimin e mundësive e reja për punonjësit e Policisë shqiptare, nga Mbretëria e Arabisë Saudite’.

Artikulli paraprakQËNDRIMI I VENECIAS PËR XHAÇKËN, BARDHI I PËRGJIGJET SPIROPALIT
Artikulli tjetërKIM E KASANOF: SHBA RIKONFIRMOI MBËSHTETJEN E FORTË PËR LUFTËN E SHQIPËRISË NDAJ…