Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaron se lufta ndaj fenomenit të shpërndarjes së lëndëve narkotike duhet goditur ashpër. Balla përmes një postimi në rrjetet sociale falenderon Policinë e Shtetit për goditjen dhe vënien para drejtësisë së një rrjeti trafikantësh nga Kosova në Shqipëri dhe sekuestrimin e një sasie shumë të madhe dozash lëndësh narkotike si dhe thekson se kjo betejë është e vështirë por jo e pamundur.
“Suksesi i operacionit të radhës të Policisë së Shtetit në goditjen e një rrjeti trafikantësh nga Kosova në Shqipëri dhe sekuestrimi i një sasie shumë të madhe dozash/tabletash të një lloj droge nxjerr në pah dhe nevojën e një lufte edhe më të ashpër ndaj këtij fenomeni. Kjo është një betejë dhe një sfidë për policinë e çdo vendi dhe disa mund të thonë se është e vështirë, se edhe vendet e tjera e kanë këtë problem. Unë nuk mendoj kështu. Në javët e fundit janë goditur disa rrjete shpërndarësish lëndësh narkotike edhe pse duhen ndjekur fijet dhe duhet të shkohet tek “bosat” e tyre sa më shpejt”.
Balla gjithashtu nënvizon rëndësinë që ka rritja e nivelit të sigurisë dhe kontrollit pranë shkollave, në mënyrë që të parandalohet dhe luftohet shitja e lëndëve narkotike në institucionet arsimore.
“Publiku dhe çdo familje shqiptare presin që Policia e Shtetit të marrë më shumë përgjegjësi ndaj çdo të riu e të reje, madje dhe adoleshentë, të cilët nuk i dinë sot sa duhet rreziqet e mëdha për shëndetin dhe familjet e tyre, ndërsa bien në grackën e narkotikëve. Pra duhet një QILIZËM KOMBËTAR për të pastruar sa të mundemi shpërndarjen e drogave pranë shkollave, pallateve dhe mjediseve të tjera publike. Duhet të rrisim sa të mundemi perimetrat e kontrollit dhe sigurisë rreth e pranë shkollave, ku rrjeta jonë të kapë me patjetër çdo keqbërës. Nëse Policia e Shtetit synon të kthehet në institucionin më të besuar, duhet pikësëpari të mos zhgënjejmë prindërit që presin prej nesh të parandalohet dhe luftohet shitja e drogave në përgjithësi dhe në afërsi të shkollave në veçanti. Prindërit në shtator kur të rifillojë viti shkollor do të na e ribesojnë ne këtë detyrë. Policia e Shtetit duhet ta mbajë fjalën dhe bëjë detyrën! E ardhmja nuk duhet të ketë krahasim me të sotmen dhe unë jam i motivuar të bëjmë më të mirën siç publiku pret prej nesh. Pres rezultate nga Policia e Shtetit”, shkruan Balla.