Ushtarët izraelitë sot, në ditën e tyre të katërt radhazi të sulmit ndaj spitalit Al Shifa në Gaza, urdhëruan përmes altoparlantëve që ta evakuonin atë “për një orë”, tha sot një reporter i AFP- së atje.
Aktualisht, sipas OKB-së, brenda këtij kompleksi spitalor ndodhen 2300 pacientë, personel mjekësor dhe persona të zhvendosur dhe shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar për fatin e tyre janë intensifikuar.
Izraeli thotë se Hamasi, i cili është në pushtet në Gaza, po e përdor spitalin si bazë ushtarake.
Rreth 950 njerëz ende në spitalin Al Shifa, thotë OBSH
Ndërkohë, rreth 950 njerëz, duke përfshirë 650 pacientë dhe 300 mjekë dhe staf mjekësor, janë ende në spitalin Al Shifa në Gaza, tha kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Ghebreyesus, në mesazhin e tij drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Al Shifa duhet të vazhdojë të funksionojë si spital. Sipas raportimeve, aty punojnë deri në 300 personel mjekësor dhe trajtohen 650 pacientë. Edhe nëse Hamasi do ta përdorte spitalin për qëllime ushtarake, spitalet dhe të gjitha objektet mjekësore, nuk duhet të lihen kurrë pa mbrojtjen e ligjit humanitar ”, tha ai.
Ndërkohë, IDF ende pohon se “ne shohim praninë e Hamasit në të gjitha spitalet”, duke vazhduar operacionet e tyre në al-Shifa.
IDF ka kryer atë që thotë se është një operacion “i kushtueshëm dhe i synuar” në objekt për dy ditët e fundit, duke pretenduar se është duke u përdorur nga Hamasi për qëllime ushtarake. Organizata palestineze e mohoi këtë, duke i quajtur pretendimet “gënjeshtra flagrante”.