Nën kërcënimin e Rusisë, presidenti i Francës Emmanuel Macron ka vendosur të rrisë buxhetin me 40% shpenzimet ushtarake për vitin e ardhshëm, teksa zbuloi ambiciet për të transformuar ushtrinë franceze për t’u përballur me “rreziqet” e mëdha të këtij shekulli. Duke pranuar fundin e “humbjes së paqes” të epokës së pas Luftës së Ftohtë, Macron në një deklaratë publike ditën e sotme tha se, buxheti për periudhën 2024-2030 do të jetë më i lartë në mënyrë që të jetë më e përgatitur ndaj cdo sulmi të mundshëm.
“Rritja e buxhetit për të forcuar ushtrinë është e nevojshme për të siguruar lirinë dhe prosperitetin tonë,” ka thënë Macron. Buxheti për periudhën do të jetë 413 miliardë euro, nga 295 miliardë euro periudhën 2019-2025.
“Ndërsa lufta po ndryshon Franca ka dhe do të ketë ushtri të gatshme për rreziqet e shekullit. Ne duhet të jemi një hap përpara. Parandalimi bërthamor është një element që e bën Francën të ndryshme nga vendet e tjera në Evropë. Ne e shohim përsëri, në analizimin e luftës në Ukrainë, rëndësinë e saj jetike”, shtoi ai. Franca do të investojë masivisht në drone dhe inteligjencë ushtarake, zona ku zyrtarët francezë kanë thënë se konfliktet e fundit ekspozuan boshllëqet dhe ushtria duhet të përqendrohet drejt një strategjie më të mirë. Vendimi i Macron erdhi ndërsa ministrat e mbrojtjes nga NATO dhe vende të tjera u takuan në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, mes paralajmërimeve se Rusia së shpejti do të ri-fillojë pushtimin e saj në Ukrainë.