Pas Kinës dhe disa vendeve të mëdha të Bashkimit Europian, edhe India është gati të aplikojë tarifa ekstra për mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zyrtarët nga New Dehli janë të zhgënjyer me sjelljen e SHBA-ve, që përfshiu edhe Indinë në listën e vendeve ndaj të cilave do të aplikohen tarifa shtesë për importet e aluminit dhe çelikut.
Pavarësisht negociatave, Trump është i bindur të rikuperojë deficitin tregtar me Indinë, prej rreth 31 miliardë dollarësh, ndaj nuk ka ndërmend të tërhiqet.
Nga ana tjetër, India, e cila ëshët importuesja më e madhe e bajameve nga SHBA-të, ka miratuar që në muajin qershor tarifat e reja për importet si bajame, arra dhe mollë. Gjithsesi, ky vendim pritet të hyjë në fuqi në muajin shtator, nëse nuk gjendet gjuha e përbashkët mes palëve.
Ndërkohë, media shtetërore kineze ka raportuar se edhe Kina ka aplikuar tarifë ekstra ndaj mbi 5000 produkteve që importon nga SHBA-të, si kundërpërgjigje e 50 miliardëve tarifa shtesë që po aplikon Amerika.
Gjithsesi, vlen të theksohet se Kina po kundërpërgjigjet menjëherë ndaj SHBA-ve, por në asnjë rast nuk ka dhënë të njëjtën forcë goditëse, pasi tarifat e rritura, kanë qenë gjithmonë më të ulëta në përqindje, sesa ato amerikane.