Zbardhja e vendimit të kryesisë së PD zyrtare, ka bërë që anëtarët të cilët janë pro zgjedhjeve të 29 korrikut, të kërkojnë përgatitjet për procesin. Gazetari Osman Stafa raporton se sipas burimeve brenda PD-së, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi mendon ndryshe. Ai kërkon zbatimin e Statutit të partisë. Konkretisht Bardhi që është edhe kreu i grupit parlamentar, kërkon mbledhjen e Këshillit Kombëtar, si organi i cili duhet te miratoje vendimin e Kryesisë. Kronikat televizive të 16 majit 2021 tregojnë procedurat që janë ndjekur nga PD. Pasi Kryesia ka marre vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar, ka qenë Këshilli Kombëtar ai i cili ka miratuar vendimet e mara. Shumica e Kryesisë që votuan pro 29 korrikut, nuk kërkojnë mbledhjen e Këshillit Kombëtar, por kërkojnë që organizimin e zgjedhjeve ta kryejë vetë ky forum. Burime të besueshme pranë PD-së zyrtare, tregojnë se Gazment Bardhi kërkon zbatimin e Statutit, duke thirrur për miratimin e vendimeve të Kryesisë, Këshillin Kombëtar.
Por çfarë thotë statuti i Partisë Demokratike Zyrtare?
Sipas statutit thuhet se vendimet e rëndësishme të partisë duhet të miratohen nga Këshilli Kombëtar. E po ashtu është Këshilli Kombëtar ai i cili miraton Komisionin Zgjedhor që do të merret me menaxhimin e zgjedhjeve në parti. Neni 53 i Statutit thotë se anëtare të këtij komisioni propozohen nga Kryetari i PDSH-së, emërohen nga Kryesia dhe miratohen nga Këshilli Kombëtar.
Ajo që nuk kuptohet ende është se përse anëtaret e Kryesisë së PD-së zyrtare, të cilët deklarojnë se respektojnë institucionin e votës, nuk kërkojnë mbledhjen e Këshillit Kombëtar sipas statutit, por kërkojnë të veprojnë pa mbledhjen e këtij forumi?