Një ngjarje e pazakontë ka shokuar banorët e qytetit të Romës. Rreth mesnatës manikinë të veshur me uniformat e skuadrës së Romës janë varur në urën e këmbësorëve përballë Koloseut me një parrullë gjigande ku shkruhej “Një këshillë pa ofendim… Flini me drita ndezur!”
Një skenë kërcënuese dhe e frikshme që ka tërhequr menjëherë vëmëndjen e banorëve të zonës por dhe të kalimtarëve të rastit. Mes manikinëve të varur dalloheshin fanellat e lojtarëve të njohur të skuadrës së Romës si De Rossi, Nainggolan e Salah. Ende nuk dihet se kush e ka arkitektuar një skenë të tillë edhe pse mendohet se dy janë hipotezat më të mundshme; ose dueli historik mes tifozerive të dy skuadrave të Romës, AS Roma e Lazio; ose janë tifozat e Romës të zhgënjyer nga një sezion kampionati që arriti kulmin me humbjen e derbit me Lazion. Ndërkohë autoritetet italiane kanë nisur hetimet mbi këtë ngjarje ndërsa banorët e Romës janë të preokupuar mbi mënyrën e realizmit të një skene të tillë në një zonë nën rregullat e sigurisë së lartë.
Zona e Koloseut kontrollohet 24 orë në ditë jo vetëm nga forcat e policisë italiane dhe ajo rrugore por dhe nga forcat e ushtrisë.