Rrëzimi që Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike u bëri propozimeve të kritikëve të Lulzim Bashës për kufizim të mandatit të kryetarit dhe dorëheqje në rast të humbjes së zgjedhjeve është konsideruar nga zërat kritikë si një thellim i mungesës së demokracisë në parti.
Një të premte të zezë për selinë blu e konsideron edhe ish-nënkryetarja e kësaj force politike Jozefina Topalli mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Sipas saj, ndryshimet e bëra në statut e bënë Lulim Bashën, kryetar të përjetshëm.
“Që dje, me letra Luli do jetë i përjetshëm. Ai mund të humbë të gjitha zgjedhjet edhe me zi se një vit më parë, por Luli aty do jetë me statutin e ri. Shqiptaret do vazhdojnë të ikin të pashpresë nga ky vend, por Luli me letra karrigen prapë do e ketë. Si “shkëmb graniti” aty do qëndrojë – kështu e gënjen mendja Lulin, duke mos kuptuar se kryetar të përjetshëm nuk ka”.
Topalli thotë se neni që parashikon se ish-kryetarët e Kuvendit janë automatikisht pjesë e Këshillit Kombëtar ka qenë në statut duke e konsideruar hileqare shpërndarjen e lajmit për rikthimin e saj në PD.
“Jozefina nuk ka ik kurrë nga bindjet e parimet e saj. As ka nevoje për karrige si ai. E kisha karrigen dhe e bëra të qartë publikisht se me Lulzim Bashën kam diferenca të mëdha… Unë nuk kam nevojë për asnjë karrige. Asnjë në këtë botë as me heq as me ven në PD sepse në PD-në e ëndrrave të viteve 90 unë kisha hyrë që para se të lindja, por këtë Luli nuk e kupton”.
Topalli thotë se zgjidhja e vetme është largimi Lulzim Bashës.
“Është më mirë që Luli të dorëhiqet e t’i japë mundësi PD-së të ngrihet për t’i dalë zot vendit; Lul Basha duhet të dorëhiqet për rezultatin katastrofal që i ka dhënë PD; ai duhet të largohet për marrëveshjen e tradhtisë me Ramën; për shpartallimin që u ka bërë strukturave, për rrëshqitjen majtas e mbi të gjitha për moskryerjen e misionit si opozitar. Ai duhet të çlirojë nga pengmarrja PD-në, që është e demokratëve dhe jo e familjes dhe e kunatit”.
Ndërsa Astrit Patozi thotë se edhe krahasimet e statutit të ri të Partisë Demokratike me ndryshimet në kushtetutën kineze nuk qëndrojnë. Sipas tij, “në Pekin i kanë dhënë mundësi për të qëndruar pa kufizim në pushtet fituesit, kurse në partinë e Lulit është shenjtëruar “fitorja” e përjetshme e humbësit”.