Lulzim Basha do të jetë kandidati i dytë përballë Gjergj Hanit për kreun e ri të Partisë Demokratike. Ish kryedemokrati, ka dorëzuar kandidaturën e tij nëpërmjet një emaili vetëm pak orë para mbylljes së afatit të përcaktuar.
Ditën e sotme u mblodh Këshilli Kombëtar i PD, ku u vendos krijimi i një komisioni zgjedhor prej 8 personash të cilët do të merren me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që pritet të mbahet në 29 korrik për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së. Pavarësisht se mbledhja e Këshillit Kombëtar u bojkotua nga 17 deputetë, Flutura Açka një ndër të pranishmëve tha se mbledhja ishte legjitime dhe se duhet të vijohet me zgjedhjen e kryetarit për riorganizimin e partisë.
Lulzim Basha që pas 14 majit, organizoi disa takime me të rinjtë duke lënë të kuptohej qëllimi i tij për rikthimin në krye të Partisë Demokratike. Në takimet e mbajtura, ai tha se pavarësisht se dha dorëheqjen nga posti i kreut të partisë për të mos thelluar përçarjen, sot partia është në situatë më të keqe sesa në mars të vitit të kaluar. Gjergj Hani ish i përndjekur politik dhe mik me ish kryetarin e komanduar Enkelejd Alibeajn, ka qenë i pari që ka dorëzuar kandidaturën e tij për kryetar të partisë Demokratike një javë më parë.