Me shkarkimin e Manjanit u provua se Rama është peng i krimit

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka komentuar shkarkimin e Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani. Në një dalje për mediat nga selia blu, Basha tha se Manjani konfirmoi denoncimet e opozitës për kapjen e shtetit nga krimi dhe sipas tij thyerja e kodit të heshtjes i kushtoi dhe karrigen e Ministrit. Basha kujtoi se Manjani nuk është i vetmi Ministër që ka denoncuar lidhjen e qeverisë me krimin, drogën, dhe rrezikun për zgjedhjet e lira. Shefi i opozitës tha se arroganca me të cilën Rama shkarkoi sot Ministrin Manjani dhe nënshtroi Ilir Metën është shprehje e sigurisë që i jep pushteti i krimit dhe parasë. Basha: Klanet kriminale me përfaqësues Saimir Tahirin janë sot bashkëkryetarë të qeverisjes.Edi Rama nuk dënjoi tu japë shqiptarëve sot asnjë shpjegim se pse e shkarkoi Ministrin Manjani. Kryeministri duhet të kishte një shpjegim për njerëzit, çfarë dinë, cili është motivi për shkarkimin e Ministrit?Por sigurisht shqiptarët e dinë se pse. Ministri Manjani u shkarkua sepse foli hapur për krimin që ka marrë peng qeverinë, për drogën, Balilin, për urdhrimin me telefon të gjyqtarëve nga Rama, për tenderat dhe koncesionet. Kjo është arsyeja. Manjani theu kodin e heshtjes. Manjani theu omertan që Rama i ka imponuar një qeveri të zhytur në krim, drogë dhe korrupsion.Deklarata e Manjanit është një tjetër konfirmim i të vërtetave që opozita ka denoncuar pre 3 vitesh. Propaganda qeveritare nuk i mbulon dot më këto të vërteta. Lidhjen e qeverisë me krimin, drogën, dhe rrezikun për zgjedhjet e lira i denoncoi edhe një tjetër Ministër i kësaj qeverie, madje kumbari i 1 prillit, Lefter Koka. Sot Edi Rama nuk ka më nevojë për asnjë aleat politik, as për Ilir Metën. Sot Edi Rama nuk ka më nevojë për një qeveri politike, ai ka ngritur dhe fuqizuar një aleancë interesash private dhe kriminale dhe pushtetin e tij e mban në këmbë me anë të krimit dhe parasë. Arroganca me të cilën Rama shkarkoi sot Ministrin Manjani dhe nënshtroi Ilir Metën është shprehje e sigurisë që i jep pushteti i krimit dhe parasë. Është një sinjal i qartë për këdo që guxon të përmendë apo kritikojë lidhjet e tij të krimit me qeverinë dhe korrupsionin e qeverisë. Me shkarkimin e Manjanit u provua edhe njëherë që Edi Rama është peng i krimit dhe Ilir Meta është peng i tij. Pengjet e krimit dhe korrupsionit nuk mund të luftojnë as krimin, as korrupsionin. Zgjidhja është largimi i tyre.

Artikulli paraprakPO SHKONTE ME FAMILJEN NË MALI TË ZI KAPET NË DOGANË ME 30 KG KANABIS
Artikulli tjetër30 VOTA “PRO” I HAPIN DRITËN JESHILE BUXHETIT TE VITIT 2017