Shqipëria po bëhet kryefjala e të huajve edhe këtë sezon veror. Lumi i Shalës, që derdhet në liqenin e Komanit, po tërheq çdo vit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj, për shkak të bukurisë që natyra i ka falur kësaj zone.

I cilësuar nga mediet e huaja si një “parajsë e vogël”, ky lumë është pa dyshim destinacioni më i preferuar sidomos nga të rinjtë.

Edhe Kryeministri Edi Rama ndau sot (26 Gusht) në rrjetet sociale pamje që tregojnë atmosferën nga lumi i Shalës.

“Deri para pak vitesh një sekret, ndërsa sot destinacioni i një buqete fantastike përvojash”, shkruan ai në rrjetin social Facebook.

Ai shprehet se më parë ishte një vend i pazbuluar, por tashmë është kthyer në një prej vendeve më të pëlqyera për të kaluar pushimet.

Turistët shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës dhe ushqimet tradicionale që ofrohen në bujtinat e ngritura pranë tij.

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës, e deri në Drin. Lumi i Shalës dallohet për ujin e tij të veçantë ngjyrë blu të thellë.

Postimi i Ramës:

“Mirëmëngjes dhe me atmosferën nga Lumi i Shalës, deri para pak vitesh një sekret, ndërsa sot destinacioni i një buqete fantastike përvojash, ju uroj një javë të mbarë”.

Artikulli paraprakVRAU SHOKUN E DHOMËS NË AZILIN PRIVAT NË TIRANË, NDËRRON JETË NË SPITAL HISTORIANI ZYDI SHEHI
Artikulli tjetërMURIQAN, TENTUAN TË DILNIN NGA SHQIPËRIA ME LËNDË NARKOTIKE ME VETE, ARRESTOHEN 3 SHTETAS