LETËR QARKORE E KONFERENCËS IPESHKVORE TË SHQIPËRISË DREJTUAR MESHTARËVE, RREGULLTARËVE DHE RREGULLTREVE DHE TË GJITHË BESIMTARËVE
Fort të dashur, I jemi shumë mirënjohës Zotit, i cili sivjet na ka mbushur me shumë gëzim kur, nëpërmjet Papa Françeskut, ka ngritur emrin e së Lumes Tereza ndër emrat e shenjtërve të Kishës. Dhe sikur kjo nuk mjaftonte, pas disa ditësh Kisha do të shkruajë në albumin e Lumnive emrat e tridhjetë e tetë katolikëve që kanë pësuar martirizim në periudhën e errët të komunizmit ateist. Shën Tomë Akuini përkufizon martirizimin si “derdhjen e gjakut të dikujt për hir të Krishtit” dhe si “qëndresën e duhur ndaj vuajtjeve të shkaktuara padrejtësisht”. Fjala “martir” do të thotë “dëshmitar”. Prandaj martiri është ai që jep dëshmi të besimit të tij. Jezusi tha: “Dashuri më të madhe nuk ka, sesa ajo e një njeriu që jep jetën për miqtë e tij” (Gjn 15, 13). Kështu martirizimi është shfaqja më e lartë e dashurisë së Krishtit. Papa Gjon Pali II ka deklaruar se martirizimi i krishterë “e ka shoqëruar gjithmonë dhe vazhdon të shoqërojë jetën e Kishës, edhe sot”. Komunizmi që, për gati një gjysmë shekulli, ka sunduar Shqipërinë shfaqi një urrejtje të veçantë ndaj katolikëve. Në një bisedë që Enver Hoxha dha në Konferencën e Pezës, në vitin 1984, ai tha: “Hierarkët katolikë ishin njerëz pa atdhe, vareshin plotësisht nga Vatikani … Të gjithë hierarkët e Kishës Katolike … ishin të mësuar, të shkolluar me shkollë teologjike, me disiplinë të hekurt, me metodat dhe dredhitë e shtypjes së vullnetit të njerëzve me frikën e Zotit … Kisha Katolike dhe hierarkia e saj ishin në kulm obskurantiste, konservatore … gjithmonë në aleancë më regjimin reaksionar …” Janë fjalë që tregojnë paragjykimet e tij kundër Kishës Katolike. Toka shqiptare u lag me gjakun e martirëve. Por sot gëzohemi se, më 5 nëntor, Kisha do të ngrejë mbi altaret tona tridhjetë e tetë martirë të vrarë në atë periudhë të tmerrshme. Të gjithë këta ishin priftërinj (ose klerikë), me përjashtim të katër laikëve: një vajzë, Marije Tuci, e vrarë barbarisht sepse ajo ishte kandidate e Motrave Stigmatine dhe katekiste; dhe tre burra, Mark Çuni, Qerim Sadiku dhe Gjelosh Lulashi. Renditur i pari në mesin e dëshmorëve është Vinçenc Prendushi, ipeshkvi i fundit i Durrësit. Ai u akuzua si “armik i popullit”, “reaksionar”, “spiun i Vatikanit”, dhe i dënuar për njëzet vjet burgim, ku ai ishte torturuar, fyer dhe poshtëruar në shumë mënyra të ndryshme, derisa ai vdiq. Në një fjalim të tij, Papa Pali VI pyeti: “Çfarë nevoje ka Kisha sot?” Dhe ai u përgjigj se në rrethanat e tanishme “Kisha ka nevojë për burra të fortë”, që domethënë, njerëz të pajisur me virtytin e guximit. Shën Pali kishte paralajmëruar tashmë të krishterët e Romës: “Dhe mos u konformoni me këtë botë”, që nënkupton se jeta e krishterë gjithmonë nënkupton një luftë kundër një mentaliteti të një bote që përpiqet ta përjashtojë Zotin. Të dashur vëllezër e motra, Kisha ka nevojë për dëshminë tuaj. Kisha ka nevojë që disa të rinj dhe të reja t’i kushtohen Zotit në jetën meshtarake dhe rregulltare. Shoqëria, veçanërisht sot, ka nevojë për dëshminë tuaj. Kini parasysh shembullin e martirëve tanë. Fjalët e fundit të tyre ishin: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria!” Dashuria besnike ndaj Zotit na mëson si të duam atdheun, si të duam të tjerët, po ashtu edhe si të duam vetveten. Sepse njeriu nuk mund ta mohojë Zotin pa mohuar njëkohësisht vetveten. Pra, të angazhohemi për të qenë qytetarë të mirë dhe të drejtë në familje, në shkollë, në çdo sektor të jetës, edhe në politikë. Tregohuni të fortë në besimin tuaj, që nëpërmjet nesh bota të mësojë të respektojë jetën njerëzore që nga ngjizja deri në vdekje dhe të angazhohet për atë drejtësi që është themeli i një paqeje të vërtetë dhe të qëndrueshme. Ju presim të merrni pjesë në kremtimin e Lumnimit të martirëve tanë të shtunën, më 5 nëntor, në Shkodër në orën 10.00. Ju përcjellim me bekimin tonë baritor. Ipeshkvinjtë tuaj