Kjo është rruga tërësisht e amortizuar e cila të çon tek spitali në qytetin e Koplikut në Malësinë e Madhe. Prej vitesh ky aks jo shumë i gjatë është lënë tërësisht në harresë dhe i parikonstruktuar duke vënë shpesh herë në rrezik serioz jetën e pacientëve që shkojnë për të marrë shërbime mjekësore aty. Mjeku i spitalit të Koplikut Zeqir Duka shprehet se nuk është aspak normale që për kaq vite askush nuk ka menduar për rrugën e spitalit.
Kërkesat nga institucionet e shëndetësisë për të shtruar me asfalt rrugën e spitalit të Koplikut kanë qenë të shumta por deri më tani përveç premtimeve asgjë nuk është realizuar.
Edhe qytetarët në Malësinë e Madhe e kanë shqetësim të madh amortizimin e rrugës së spitalit të Koplikut.
Ky spital shërben për mijëra banor të Malësisë së Madhe të cilët çdo ditë duhet që të kalojnë në këtë rrugicë të ngushtë dhe përmes gropave të mbushura me ujë të cilat vënë edhe më shumë në rrezik jetën e pacientëve.