Franca nuk ndryshon qëndrim për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në 18 Tetor.

Në një konferencë të përbashkët me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidenti i Francës Emanuel Macron u shpreh se këto dy vende kanë ndërmarrë reforma të rëndësishme por fillimisht duhet të reformohet procedura e pranimit në Bashkimin Europian.

Macron tha se Reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë sinjale pozitive që vijnë nga një vend strategjik si Ballkani Perëndimor.

“Përshëndesim vullnetin dhe reformat e ndërmarra deri tani në këto dy vende, por pavarësisht nga sinjalet pozitive prej dy vendeve, që vijnë nga një rajon strategjik për ne, si Ballkani, ajo që ne kemi në vëmendje është të ndryshojmë procedurën e pranimeve të mëtejshme në BE”, u shpreh ndër të tjera Macron.

Nga ana tjetër kancelarja gjermane përmendi shkurt vetëm faktin se kërkohet për këtë qëllim një vendim që të jetë unanim dhe i pranuar nga të 28 vendet e Bashkimit.

Një ditë më parë ministrat e Jashtëm nuk ranë dakord për të dalë me një qëndrim unanim për hapjen e negociatave, ndërsa vendimi final u takon liderëve të BE-së që do të mblidhen në datat 17 dhe 18 Tetor.

Shqiptarja.com zbuloi sot si u bllokua plani finlandez për të hapur negociatat vetëm me Maqedoninë e Veriut, pasi 12 shtete ishin gati për ta mbështetur.

Artikulli paraprakLYEN ME BENZINË KOMSHIEN PËR TA DJEGUR, PASI DËSHTON I VË FLAKËN VETES
Artikulli tjetërDËNOHEN ME BURG SHQIPTARËT QË FURNIZUAN TREGUN ME 23 MIJË EURO KOKAINË