Fushata e kandidatit presidencial francez, Emmanuel Macron ka qenë në shënjestër të një sulmi masiv kibernetik, pasi një sërë dokumentash u publikuan në internet.

Sipas përfaqësuesve të kësaj fushate, dosje të vërteta ishin përzier me dosje të rreme për të shkaktuar konfuzion në rradhët e votuesve, në një përpjekje për të dëmtuar pozicionin e zotit Macron përpara raundit të dytë të votimeve që do të mbahen të dielën. Një përdorues anonim postoi rreth 9 gigabajt të dhëna që sipas përfaqësuesve të kandidatit centrist përfshijnë dokumenta të fushatës, emaile e të dhëna financiare që tregojnë aktivitete ligjore të fushatës.

Është ende e paqartë kush mund të fshihet pas këtij akti, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, Macron paraqiti një padi mbi spekulimet online se ai kishte një llogari sekrete bankare në Karaibe. Pak përpara mbylljes zyrtare të fushatës, fushata e Macron dënoi këtë rrjedhje të informacionit të ndodhur në orët e vona të së premtes, si një sulm ndaj demokracisë franceze. Sondazhet tregojnë se ish-ministri i ekonomisë ka një avantazh prej 20 pikësh ndaj kundërshtares së tij, Marine Le Pen.

Teksa përfundimi i raundit të dytë të së dielës do të jetë i qartë në mbrëmje, rezultati final do të shpallet zyrtarisht nga Këshilli Kushtetues i Francës, të enjten e 11 majit. Sakaq, data 14 maj shënon edhe fundin e mandatit të presidentit në largim François Hollande dhe është data më e fundit e mundshme për inagurimin dhe transferimin zyrtar të pushtetit për pasardhësin e tij.

Artikulli paraprakMOTI PËR SOT ALTERNIME KTHJELLIMESH DHE VRANËSIRASH
Artikulli tjetërRAMA: LULËZIM, FITORE TË TILLA PAÇ NGAHERA!