Policia kombëtare spanjolle ka mbyllur 1,300 nga 2,315 shkolla në Katalunjë të caktuara si vendvotime për referendumin e pavarësisë.

Kjo është lëvizja më e fundit nga qeveria e Madridit, ndërkohë që autoritetet kanë shtuar përpjekjet e tyre për të ndalur referendumin e ditës së dielë. Policia tashmë ka bllokuar qendrën e telekomunikimit të qeverisë rajonale, ndërkohë që Madridi ka urdhëruar këto forca të pastrojnë shkollat e zëna nga qindra aktivistët që kaluan natën në këto godina e që duan të sigurohen se shkollat do të përdoren si qendra votimi.

Mediat spanjolle kanë raportuar për 4 persona të plagosur lehtë si pasojë e përballjes mes policisë dhe aktivistëve në një shkollë në Manlleu. Oficerët gjithashtu kanë konfiskuar materiale si fletët e votimit, ndërkohë që prokurorët spanjollë kanë urdhëruar mbylljen e faqeve të lidhura me votimin dhe arrestimin e zyrtarëve organizatorë të referendumit. Por presidenti i rajonit Carles Puigdemont është shprehur se votimi gjithsesi do të zhvillohet.

Një ditë më parë, mijëra katalanas u mblodhën në një tubim përmbyllës përpara referendumit të shpallur si ilegal nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës. Katalunja, një rajon i pasur me 7,5 milionë banorë në Spanjën veri-lindore ka gjuhën dhe kulturën e veçantë si dhe një shkallë të lartë autonomie, por nuk njihet si një komb i ndarë në kushtetutën spanjolle. Në bazë të sondazheve paraprake të kryera në rajon, pritet që shumica e votuesve të mbështesin shkëputjen nga Spanja.

Artikulli paraprakRRËZOHET ‘STADIUMI’, 20 TË LËNDUAR, 3 NË GJENDJE KRITIKE
Artikulli tjetërNOBELI I PAQES, PRETENDENTË MERKEL DHE AMAL CLOONEY