Ndërsa sistemi politik britanik mbetet i mbërthyer nga trazirat e Brexitit, një pikturë e Banksyt, e dhomës së komuneve, por me shimpaze nëpër bankina dhe jo deputetë, do të dalë në shitje në Londër muajin e ardhshëm. E krijuar në 2009, shumë kohë pasi termi Brexit të hynte në fjalorin britanik.
Piktura satirike pritet të kapë një vlerë prej 2.5 milionë dollarësh kur të dalë në ankand në Sotheby’s, në Londër, më 3 tetor.
“Parlamenti i dorëzuar” tregon karriget e parlamentit të zëna nga primatët. Është kanavaca më e madhe e njohur e artistit anonim të rrugës, krijimet e shumë diskutuara të të cilit i kanë dhënë famë botërore.
Ajo do të ekspozohet tek Sotheby’s për disa ditë para shitjes, vetëm pak metra larg nga Westminster, ku kaosi politik vazhdon të mbretërojë. Ajo u prezantua për të parën herë në 2009 por u rishfaq nën reflektorë sërish, këtë vit, në ditën kur Britania e Madhe duhej të tërhiqej nga BE 29 mars.
Ndërsa Parlamenti i dorëzuar nuk kishte të bënte me Brexitin, çështja nuk i ka shpëtuar vëmendjes së artistit që nga referendumi i 2016.
Muajin e kaluar, një murale e Banksyt, në të cilën shihej një punëtor që hiqte një yll nga flamuri i bashkimit evropian, u zhduk në mënyrë misterioze nga fasada e një ndërtese në Dover.