Një i ri shqiptar, 22 vjeç, ka humbur jetën në Itali pasi makina që ai drejtonte është shkatërruar plotësisht pas një aksidenti rrugor.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë, kur makina Volkwagen Lupo u rrokullis disa herë nga njëra anë e rrugës në tjetrën, deri sa ndaloi e shkatërruar. U deshën disa orë për të nxjerrë trupin e pajetë të 22-vjeçarit i cili qëndronte në shtëpinë e tezes së tij, në Forlimpopoli.

Ky ishte epilogu tragjik i një mbrëmjeje argëtuese për një grup të huajsh, që të gjithë te të njëzetat: dy shqiptarë, një marokene dhe një e re e lindur në Itali nga prindër të huaj.

Sipas policisë, 22-vjeçari e ka bërë gjithçka vetë, duke rrëshqitur në kthesë teksa shkonte në drejtim të Cesenës, deri sa është përplasur me murin mbrojtës nga e majta, për të kaluar sërish nga djathta.

Urgjenca është lajmëruar nga një kamionist që ka kaluar andej pas aksidentit. Dy nga personat në makinë janë dërguar në gjendje të rëndë në spital, ndërsa disi më e mirë është gjendja e një 23-vjeçareje.

Në mëngjes, të tre të shtruarit në spital ishin të vetëdijshëm dhe jashtë rrezikut për jetën. Asgjë nuk mund të bëhej për drejtuesin e mjetit që, nga përplasjet e shumta, ishte shtypur nga të gjitha anët në mënyrë të frikshme.

Nga dëshmitë e të plagosurve karabinirët kanë mundur të zbardhin ngjarjen. Ata kishin ndaluar në disa lokale gjatë mbrëmjes deri sa ishin nisur drejt një McDonald’s në Torre del Moro, pa mbërritur kurrë atje.

Aktualisht po kryhen testet për të parë nëse aksidenti ka ardhur për shkak të alkoolit apo drogës.

22-vjeçari i vdekur banonte në Shqipëri, por shkonte shpesh te tezja në Forlimpopoli dhe e njihte mirë Romanjën.

Artikulli paraprak18-VJEÇARJA HUMB NDJENJAT NË ORËN E PROVIMIT,VDES NË SPITAL
Artikulli tjetërPOLICIA PRANGOS SHQIPTARËT ME DROGË MES TYRE EDHE NJË VAJZË