Finalizohet operacioni policor i koduar “Ekstazi”, i zhvilluar nga shërbimet e DVKM Shkodër, në bashkëpunim me DVP Shkodër, ndërsa vihen në pranga katër persona, pasi tentuan të trafikonin drejt Malit të Zi disa lloje lëndësh narkotike.
Si rezultat i bashkëpunimit intensiv dhe i një pune të mirorganizuar nga strukturat e DVP dhe DVKM, Shkodër, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, me fokus evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, u finalizua operacioni policor i koduar “Ekstazi”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit:
A. V., 24 vjeç, banues në Kurbin, Laç;
E. H., 23 vjeç, banues në Kuçovë;
N. P., 22 vjeç, banues në Tiranë;
E. I., 64 vjeç , banues në Shkodër.
Këta shtetas janë paraqitur në PKK Muriqan, në dalje të RSH-së, me automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin E. I. dhe pasagjerë shtetasit A. V., E. H. dhe N. P. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në vijën e dytë për kontroll më të imtësishëm shtetasit dhe automjetin me të cilin qarkullonin.
Si rezultat i kontrolleve fizike që shërbimet e Policisë ushtruan ndaj 4 shtetasve, u gjetën sasi të ndryshme, të ndara në pako, lëndësh narkotike kanabis, ketaminë dhe ekstazi, të cilat, nga veprimet hetimore, rezulton se këta shtetas do t’i trafikonin drejt Malit të Zi.
Lëndët narkotike, së bashku me automjetin me të cilin këta shtetas qarkullonin, shuma parash dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.