Ministri i Financave, Petrit Malaj i pranishëm në takimet e zhvilluara në Berlin Global Dialog, së bashku me zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro Furxhi theksoi se në këto takime pala shqiptare ndau pikëpamjet se angazhimi në rang rajonal dhe më gjerë duhet të jetë i përbashkët sa i takon adresimit të sfidave të së ardhmes, siç janë : gjeopolitika, demografia, ndryshimet klimaterike apo edhe zhvillimet e vrullshme të teknologjisë.
Malaj veçoi takimin me Lars Hendrik Roller, duke e cilësuar një mundësi të shkëlqyer për të ndarë progresin që po bën Shqipëria sa i takon negociatave me BE-në, kur dhe pak ditë na ndajnë nga çelja e kapitujve të parë.
“Shqipëria, shihet si një vend me potencial të lartë për Investimet e Huaja Direkte, falë investimet të mëdha infrastrukturore, zhvillimit të turizmit dhe përmirësimit të klimës së biznesit dhe këtë e konfirmoi edhe takimi që patëm me drejtues të kompanive nga më prestigjiozet”, u shpreh Malaj ndërsa ndau momente nga takimet në rrjetet sociale.
“Krijimi i sinergjisë me qëllim identifikimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e zgjidhje të përbashkëta përballë sfidave globale, mbetet një domosdoshmëri”, shtoi ai.
Zv.kryeministrja Balluku u shpreh dje se Dialogu Global i Berlinit mbetet një nga forumet më të rëndësishme dhe Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë rast për të promovuar veten e saj në të gjitha këto forume ndërkombëtare dhe për të bërë të ditur për të gjithë investitorët e huaj se tashmë vendi plotëson çdo kusht për t’u konsideruar si një vend i Bashkimit Europian.