Ky është mjeti i kryeplakut të Vermoshit në Malësinë e Madhe i cili është gjetur i djegur. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë rreth orës 14:30 në qendër të Vermoshit, pjesë e njësisë Kelmend në Malësinë e Madhe teksa mjeti i shtetasit Prekë Vushaj, 74 vjeç është shkrumbuar nga flakët. Makina tip Toyota Rav 4, fouristradë ndodhej e parkuar në qendër të fshatit kur persona ende të paidentifikuar i kanë vënë flakën.

Në vendin ku ndodhej mjeti i djegur nuk ka patur kamera sigurie megjithatë policia po bën kçyrjen e kamerave të sigurisë të disa bujtinave që janë në atë zonë për të parë të gjitha lëvizjet e mundshme dhe për të arritur në identifikimin e autorëve. Një gjë e tillë mbetet e vështirë për shkak se Vermoshi është një terren malor i hapur ku mundësitë për t’u larguar janë nga të gjitha anët.

I pyetur nga efektivët e policisë kryeplaku i Vermoshit Prekë Vushaj ka deklaruar se dyshimet e tij janë se kjo është një ngjarje e qëllimshme. 74 vjeçari nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët dhe nuk ka dhënë ndonjë emër si të dyshuar por fakti që mjeti i tij është djegur me lëndë djegëse benzinë ka bërë që të mendojë se kemi të bëjmë me një ngjarje të qëllimshme.

Pasi kryeplaku ka njoftuar policinë efektivët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes duke bërë të gjitha hetimet por deri më tani nuk kanë arritur ende të identifikojnë autorët e mundshëm që shkrumbuan fouristradën e 74 vjeçarit. Ndërkohë policia një prej pistave kryesore të hetimit për djegien e këtij mjeti ka ngjarjen e ndodhur në fillim të tetorit të vitit të kaluar kur një avion i vogël që dyshohet se transportonte drogë drejt Malit të Zi u rrëzua aksidentalisht në një fushë të Vermoshit. Policia nuk ka gjetur as drogën dhe as autorët pasi dyshohet se persona ende të paidentifikuar e kanë larguar me disa fouristrada duke ikur në drejtim të paditur.

Edhe pse kanë kaluar 6 muaj nga ajo ngjarje ende nuk ka persona nën hetim. Kryeplaku i Vermoshit pas rrëzimit të avionit ka shkuar në vendin e ngjarjes pasi këtë ia ka kërkuar vetë policia dhe drejtues vendor duke qenë se efektivëve u duheshin disa orë për të mbërritur aty. Kryeplaku është kërcënuar edhe në rrjete sociale përmes komenteve të ndryshme nga adresa fallco duke i thënë se “do t’ia shohë sherrin” por që nga ajo kohë nuk ka patur presione apo kërcënime direkte. Policia po heton për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, “HARROHET” HYRJA E QYTETIT
Artikulli tjetërSHKODËR, KREU I PD: NUK NJOHIM ZGJEDHJET E RITHEMELIMIT