Qendra shëndetësore në Pjetroshan të Malësisë së Madhe për momentin ka mbetur pa mjek pasi doktor Abaz Lezha pësoi një infarkt dhe ende gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar plotësisht. Mjeku në fjalë gjithashtu ka dalë në pension prej 7 vitesh por vijon të shërbejë si mjek vullnetar për banorët e Pjetroshanit por edhe fshatrave të tjerë Kosanit dhe Gradecit në Malësinë e Madhe për shkak të mungesës së mjekëve të rinj.
Edhe dy infermieret e qendrës shëndetësore të Pjetroshanit tregojnë se mjeku Abaz Lezha, tashmë 72 vjeçar është i detyruar të shërbejë për tre fshatra por edhe për banorë të tjerë nga e gjithë Malësia e Madhe që e kërkojnë.
Mungesa e mjekëve në fshatrat e Malësisë së Madhe nuk është i vetmi problem. Godina e qendrës shëndetësore të Pjetroshanit është në shumë pjesë të saj e amortizuar. Infermierja Terezina Asllani tregon se ka shumë vite që është ndërtuar dhe tashmë kjo godinë ndodhet në kushte jo të mira.
Fshatrat e Malësisë së Madhe por edhe shumë zona të tjera të qarkut Shkodër janë duke u boshatisur çdo ditë e më shumë në mënyrë masive. Ky shpopullim ka ndikuar edhe në mungesën e mjekëve të rinj në qendrat shëndetësore për t’i shërbyer atyre pak banorëve të moshuar që kanë mbetur.