Ky është një avion i vogël i cili ka rënë gjatë ditës së sotme në livadhet e Vermoshit në Kelmend të Malësisë së Madhe. Sipas dyshimeve të deritanishme avioni i vogël ka pësuar një defekt në ajër dhe piloti ka bërë një ulje të detyrueshme ndërsa raportohet se nuk ka persona të lënduar.
Brenda avionit dyshohet se kanë qenë dy persona, piloti dhe një pasagjer. Pas ulje së detyrueshme të këtij avionic një fouristradë e bardhë është afruar dhe ka marrë pilotin dhe pasgjerin duke u larguar më pas në drejtim të paditur. Kryeplaku i vermoshit Prek Vata thotë se piloti dhe pasagjeri nuk kanë lejuar barinjtë dhe banorët e zonës që të afrohen.
Ndërkohë ministria e mbrojtjes në një sqarim të shkurtër paraprak është shprehur se avioni i ulur në livadhet e Vermoshit nuk është i Shqipërisë duke nënkuptuar se mund të jetë nga Mali i Zi. Një reagim për ngjarjen ka bërë edhe policia vendore e Shkodrës e cila thotë se rreth orës 12:30 është marrë informacion se në zonën e Vermoshit në kufirin ndarës ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi është rrëzuar një avion i vogël në një vend të papërcaktuar.
Ndërkohë janë nisur shërbimet e policisë, Komisariati Malësi e Madhe dhe policia kufitare për të hetuar lidhur me këtë avion. Po ashtu është ende i paqartë identiteti i pilotit dhe pasagjerit si dhe arsyeja përse ai avion i vogël po fluturonte në pjesën shqiptare në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në zonën e Vermoshit.