“Fryma që ndryshoi Malësinë e Madhe” ishte aktiviteti përkujtimor kushtuar misionarit nga Italia, Pier Paolo Ambrosi, i cili për 12 vite la gjurmë në zhvillimin e kësaj zone. Ky aktivitet solli në vëmendje punën e palodhur të Ambrosit gjatë kohës që ishte në krye të Organizatës “VIS Albania”.
Gjatë këtyre viteve Pier Paolo Ambrosi ishte ideator i 81 projekteve të realizuara në fusha të ndryshme, si në atë të infrasktrukturës publike, vlerësimin territorial ashtu edhe aktivitetet rekreative e rinore.
Ky aktivitet u zhvillua në inkubatorin e produkteve tipike të Reçit, për të cilin Ambrosi kishte dhënë kontributin e tij. Në këtë aktivitet morën pjesë familjarët e tij, drejtues të pushtetit vendor, punonjës të “VIS Albania”, si dhe përfitues dhe banorë të zonës së Malësisë së Madhe, të cilët e kujtuan me mall Pier Paolo Ambrosin.
Të rinjtë dhe arsimimi i tyre ishin projektet për të cilat Ambrosi punoi më së shumti.
Për kontributin, punën dhe përkushtimin e tij të palodhur, Bashkia Malësi e Madhe në vitin 2017 i ka akorduar titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Mbështetje të zhvillimit turistik dhe promovim të vlerave kulturore dhe natyrore të zones sonë Malësi e Madhe”.
Në aktivitetin përkujtimor në nderim të Pier Paolo Ambrosi, Kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj u ka dorëzuar familjarëve të të ndjerit, “Vendimin e Këshillit Bashkiak” për t’i dhënë emrin “Pier Paolo Ambrosi” Konviktit Tamarë, i cili është dhe i vetmi konvikt që ka Bashkia e Malësisë së Madhe.