Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile ka sjellë në qarkun Shkodër 507 pako me ushqime për të gjitha familjet të cilat ndodhen të bllokuara në zonat malore për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Një pjesë e këtyre pakove ushqimore u dorëzuan në Tamarë të njësisë Kelmend të Malësisë së Madhe për ti dërguar në Lepushë dhe Vermosh ku ndodhen një pjesë e familjeve në vështirësi ndërsa e pranishme ishte edhe prefektja e qarkut Shkodër Majlinda Angoni.
Ndërkohë kërkesën për ndihma ushqimore ditët e fundit e ka bërë bashkia Malësi e Madhe. Kryebashkiaku Tonin Marinaj shprehet se janë 162 familje në zonat malore me borë të Malësisë së Madhe që do të ndihmohen.
Në ditët në vijim në rast se do të ketë sërish përkeqësim të motit dhe reshje bore familjet në vështirësi pritet që të ndihmohen me të tjera ushqime për vete por edhe bazë ushqimore për bagëtitë.