Malësi e Madhe
Vodhën një automjet (furgon) në një vendparkim dhe e fshehën në pyll, falë reagimit në kohë, Policia gjen automjetin dhe vë në pranga një 19-vjeçar si autor të dyshuar.
Procedohen penalisht 2 të mitur, 15 dhe 17 vjeç, si bashkëpunëtorë të 19-vjeçarit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, sapo janë njoftuar nga shtetasi V. Gj., se në një vendparkim automjetesh në Koplik, gjatë natës, shtetas të paidentifikuar i kishin vjedhur automjetin tip furgon dhe ishin larguar, menjëherë kanë organizuar punën për gjetjen e automjetit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i reagimit të mënjehershëm të shërbimeve të Policisë, sigurimit të inteligjencës policore, këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe kontrolleve të imtësishme në zonë, u bënë të mundura gjetja dhe sekuestrimi i automjetit të cilin e kishin fshehur në një zonë të pyllëzuar në fshatin Culaj, në afërsi të liqenit të Shkodrës.
Gjithashtu, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bënë të mundur identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit M. H., 19 vjeç, banues në Koplik, i dyshuar si autori kryesor i vjedhjes së furgonit, si dhe u proceduan në gjendje të lirë 2 shtetas, 15 dhe 17 vjeç, të dyshuar si bashkëpunëtorë të të arrestuarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.