Mali i Zi është i hapur për të gjithë turistët dhe është gati të tregojë mikpritjen e tij, tha kryeministri malazes Zdravko Krivokapic, i cili përshëndeti turistët që hyjnë në vend përmes vendkalimint kufitar Dobrakovo midis Malit të Zi dhe Serbisë.
Krivokapic tha se turistët ishin të kënaqur, por edhe pak të befasuar, sepse nuk prisnin që të mirëpriteshin nga Kryeministri.
Ai tha se pritja më e gjatë në atë vendkalim kufitar shkon 20 minuta dhe se të gjitha procedurat po ndiqen.
“Ne jemi duke krijuar një praktikë të mirë, ku duam të marrim një pasqyrë të drejtpërdrejtë të situatës për të gjetur se si funksionon gjithçka, nëse ka pritje, sepse në këto ditë të nxehta ne jemi më të bezdisur nga pritja,” tha Krivokapic.
Ai tha se në qershor ky vendkalim kufitar regjistroi më shumë kalime automjetesh sesa në vitin 2019, kur Mali i Zi theu rekordin në numrin e vizitave turistike dhe të ardhurave nga turizmi.
“Këto janë rezultate mbresëlënëse dhe japin shpresë se ajo që parashikohet në buxhet do të tejkalohet.”
“Qershori tregoi se dhe korriku dhe gushti do ta konfirmojnë atë, sepse situata në Malin e Zi në lidhje me koronavirusin është e qëndrueshme,” tha Krivokapic, duke vënë në dukje se vendi i tij, me tre të infektuar për 100,000 banorë, është në zonën e gjelbër.
Mali i Zi kishte një sezon turistik katastrofik vitin e kaluar për shkak të pandemisë, në të cilin fitoi vetëm 8% të të ardhurave të tij në 2019, kur fitoi një miliard euro nga turizmi.
Në buxhetin për 2021, qeveria malazeze parashikon që të fitojë rreth 700 milion euro nga turizmi.