Qeveria e Malit të Zi ka miratua sot projekt-Ligjin për Simbolet Kombëtare i hartuar nga Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Mehmet Zenka.

Ky projekt-Ligj do të jetë në rend të ditës për miratim në seancën e parë të Kuvendit të Malit të Zi.

Rreth kësaj, Kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj për TV Boin tha se ky projekt-ligj parasheh që flamuri shqiptar të përdoret lirshëm kudo që jetojnë shqiptarët. Megjithatë, duhet thene se përdorimi i simboleve kombëtare garantohet edhe me Ligjin aktual për simbole kombëtare dhe gjithashtu edhe me Kushtetutë, por përdorimi i flamurit shqiptar është sanksionuar përmes Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike.

Rasti i fundit i gjobitjes për shkak të shfaqjes së flamurit shqiptar, ndodhi javën e kaluar në Krajë. Përveç aprovimit të projekt-Ligjit për Simbolet Kombëtare, Qeveria ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të paraqes projekt-ligjin për ndryshim të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike i cili ishte miratuar nga Parlamenti malazez në vitin 2011.

Vitin e kaluar deputeti Genci Nimanbegu kishte paraqitur projekt-ligjin për ndryshimin e Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, por nuk kishte fituar shumicën e votave të koalicionit parlamentarë.

Artikulli paraprakMAKINA BËHET COPË-COPË, VDES SHQIPTARI NË GREQI (VIDEO)
Artikulli tjetërSULMI I METËS KUNDËR NDËRKOMBËTARËVE, BROZI: I KORRUPTUARI I SHPALLI LUFTË AMERIKËS DHE BE-SË