Historike! Më në fund partitë politike shqiptare në Malin e Zi janë bërë bashkë, duke formuar një koalicion të gjerë.

Tre partitë shqiptare, Forca e Re Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Alternativa Shqiptare, kanë firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.   Nëpërmjet këtij koalicioni, që përfshin tre partitë kryesore shqiptare të Malit të Zi, garantohet fuqizimi i faktorit politik shqiptar në vend duke mundësuar më shumë ndikimin në vendimmarrje dhe në jetën politike të Malit të Zi.   Koalicioni i përbërë nga tre forcat më të mëdha politike, në përbërje të së cilës bashkohen dy deputetë shqiptar, kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit dhe Kryetari i Komunës së Ulqinit, synon një strategji afatgjatë e cila ka për qëllim vendosjen e interesave kombëtare mbi ato personal.   Për shumë vite përçarjet politike dhe ndasitë personale kanë bërë që fragmentizimi i votës së shqiptarëve në Malin e Zi të dëmtojë vetë faktorin shqiptar në vend, duke e dobësuar atë ndjeshëm e mandej shkaktuar humbjen e mandateve politike çka ka sjellur pasoja të rënda për komunitetin shqiptar.   Ndaj, bashkimi i votave të shqiptarëve sot, është më i mundur se kurrë si një parakusht për sigurimin e më shumë ndikimi në interes të të drejtave shqiptare dhe kauzave të tyre.   Përfaqësuesit e Forcës, UDSh-së dhe ASh-së përsërisin thirrjen e tyre drejtuar aktorëve dhe faktorëve të tjerë politik shqiptar brenda dhe jashtë vendit që për hir të interesit kombëtar, të bashkojnë forcat, dhe të bëhen pjesë e këtij koalicioni të madh të shqiptarëve të Malit të Zi.

Artikulli paraprakMALËSI E MADHE, BASHKIA NDËRHYN NË RRUGËN E LINAJVE
Artikulli tjetërBARCELONE:SHPERTHIM NE NJE RESORT,NJE I VDEKUR DHE 15 TE PLAGOSUR