Duhej të funksiononte si qendër shëndetësore, por nuk po përdoret si e tillë. Kjo godinë e ndërtuar 13 vite më parë, nuk u vu asnjëherë në funksion të dhjetëra banorëve të fshatit Mali Kolaj në njësinë administrative Velipojë. Aq më tepër në këtë periudhë të përballjes me pandeminë COVID-19, shërbimi shëndetësor vijon t’I mungojë banorëve të zonës.
Prej një muaji kur ka filluar edhe fushata e vaksinimit masiv e cila është zhvendosur edhe në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit, në këtë zonë situata e krijuar nuk është aspak normale pasi vaksinimi është zhvendosur në qendrën shëndetësore në Velipojë, pothuaj 13 km larg fshatit Mali Kolaj.
Mos funksionimi I kësaj qendre shëndetësore është diskutuar disa herë në media, madje banorët e zonës kanë kërkuar nga strukturat përkatëse të ndërhyhet për zgjidhjen e këtij problemi pasi në të gjithë fshatin nuk kanë një mjek që t’I ofrojë ndihmë mjekësore në rast nevoje.
Situata e krijuar nga pandemia, duhej të rriste ndërgjegjësimin ndërveprimin institucional për vënien në funksion të kësaj qendre shëndetësore, por deri më tani, investimi prej miliona lekësh nuk I ka ardhur aspak në ndihmë qindra familjeve të këtij fshati.