“Të na dëgjojnë ne dhe Shqipëria t’i ketë ndërtimet 1 mijë metër larg bregdetit”. Kjo është këshilla që jep sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Planifikimit të Territorit në Malin e Zi Zoran Tomiç. Kjo deklaratë erdhi gjatë takimit me palën shqiptare për plan-veprimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Ministria në Shqipëri ka lehtësuar disa masa duke e bërë më të shkurtër procesin që ndihmon për plotësimin e kushteve për plan-veprimin dhe përshpejton investimet. Ne në Malin e Zi kemi një plan rajonal që përfshin shumë komuna dhe zvogëlon dëtmimet që janë bërë nga ndërtimet. Do kërkoja nga pala shqiptare që të na dëgjojë ne dhe ndërtimet për bregdetin të jenë 1 mijë metër larg. Në konkurset tona për lejet e ndërtimit janë edhe vendasit që sigurojnë kualitet. Ne do shohim mundësitë e bashkëpunimit për projektet e përbashkëta. Kemi bërë në Malin e Zi një ligj të ri për shkurtim procedurash për lejet e ndërtimit dhe janë zbritur ndërtimet. Shteti jonë në krahasim me vendet e rajonit ka përparuar përsa i përket planifikimit dhe këtë e thotë edhe Banka Botërore. Në Malin e Zi lejet e ndërtimit do t’i japim në rrugë elektronike ndërkohë që ato që japin këto leje grumbullojnë mendimet e të gjithëvë dhe ne jemi gati t’ua japim eksperiencat tona pozitive”. Zëvendësministri i zhvillimit urban Alfred Dalipi tha se ky takim shërben për hartimin e plan-veprimit të një marrëveshjeje për planifikimin e territorit mes dy shteteve Shqipërisë dhe Malit të Zi. Dalipi tha se kjo marrëveshje do t’i shërbejë procesit të masterplaneve për bashkitë në Shqipëri. Gjatë takimit mes dy ministrieve respektive të zhvillimit urban është folur edhe për të ardhmen dhe mundësitë e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë.