Futbollisti i Vllaznisë, Renato Malota, nuk ka qenë pjesë e skuadrës shkodrane prej disa javësh. Në momentin që shpërtheu çështja e falsifikimit në marrjen e pronave në Shëngjin të Lezhës, u përfshi dhe emri i tij.
Mbrojtësi nuk u bë më “i gjallë” që nga ai moment, por duket se tashmë është zgjidhur gjithçka dhe Malota u rikthye të flasë për këtë çështje.
Ai është paraqitur në séance stërvitore të së enjtes ku ka takuar edhe shokët e ekipit. Klubi i Vllaznisë njoftoi gjithçka përmes një njoftimi në faqen zyrtare.
“Futbollisti Renato Malota pasditen e sotme ka qenë i pranishëm në fushën stërvitore të ekipit të Vllaznisë. Pas një mungese disaditore për shkak të disa problemeve personale, ai tani e tutje do të vazhdojë të jetë pjesë e kuqebluve në stërvitje.
Do të ndodhë kështu pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë e cila ditën e sotme ka marrë vendimin për ‘hetim në gjendje të lirë’ të tij. Malota ka mbërritur në fushën e Golemit në momentet kur stërvitja kishte filluar dhe padyshim që të gjithë janë gëzuar kur e kanë parë.
Administratori Gjyrezi, trajneri Gjoka dhe gjithë pjestarët e tjerë të ekipit, janë përshëndetur me të me shumë përzemërsi. Vetë lojtari në një prononcim të shkurtër për faqen zyrtare të klubit ka thënë:
‘Sot Gjykata vendosi për hetim në gjendje të lirë ndaj meje ngaqë nuk kishte fakte të mjaftueshme për mua. Një vendim që ka ardhur ngaqë u konstatua se unë personalisht nuk kam asnjë firmë të hedhur në asnjë dokument për të cilin jam akuzuar dhe po ashtu, edhe çertifikata e pronësisë nuk është tërhequr nga institucionet përkatëse.
Po vërtetohet ajo që kam thënë prej fillimit se unë jam i pafajshëm në gjithë këtë histori. Sot erdha sa për të takuar drejtuesit dhe shokët e ekipit dhe nesër do të jem në stërvitje dhe në dispozicion të stafit teknik'”, – shkruhet në njoftimin e klubit.