Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndarë lajmin e mirë në Facebook për një 10 vjeçar nga Burreli, i cili ka arritur të fitojë një betejë të rëndësishme në luftën kundër kancerit.
Manastirliu ka vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e ekipit të mjekëve të cilët bënë të mundur ndërhyrjen delikate dhe trajtimin kompleks të 10 vjeçarit.
Postimi i ministres Manastirliu:
Pas mundimit të gjatë për Ardenisin e vogël në betejën e vështirë me tumorin në sistemin nervor, ndërhyrjes delikate në neurokirurgji dhe përfundimit të një trajtimi kompleks me radioterapi në spitalin onkologjik, 10 vjeçari nga Burreli ka arritur të fitojë një betejë të rëndësishme në luftën kundër kancerit. Kjo, falë profesionalizmit dhe përkushtimit të pashoq të dr. Arturit, dr. Orgesit dhe të gjithë ekipit fantastik të #neurokirurgjisë dhe #radioterapisë në #QSUT
Sot ishte një ditë e veçantë në shërbimin e radioterapisë, pasi stafi mjekësor i kishte përgatitur një surprizë për ditëlindje Ardenisit të vogël, që këtë 10 vjetor e festoi ndryshe, me lajmin e mirë të përfundimit me sukses të trajtimit kompleks në spitalin onkologjik në Tiranë.