MUNGON DOSHI DHE FRROKU, TË MËRKURËN TASHË PRITET VENDIMI PËR MANDATET. As këtë të hënë Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk mundi të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.
Ishte deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi, i cili kërkoi sërish shtyrjen e mbledhjes të Këshillit, ashtu sikurse ndodhi edhe në takimin e të shtunës pasdite. Këtë radhë Doshi paraqiti një raport mjekësor përmes avokatit të tij Vladimir Meçe, ku theksohej se për shkak të gjendjes shëndetësore nuk ishte në kushte të favorshme për të parashtruar para deputetëve mbrojtjen e tij. Në kërkesën për shtyrje të mbledhjes, Doshi shprehet se mbas dy ditësh do të ishte i gatshëm për të bërë mbrojtjen përballë kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e tij. Kjo kërkesë u pranua nga anëtarët e Këshillit. Po ashtu në mbledhjen e kësaj të hëne nuk ishte i pranishëm as kreu demokristian Mark Frroku, për të cilin Prokuroria kërkoi gjithashtu arrestimin nën akuzën se kanë inskenuar atentatin që Doshi pretendon se ishte planifikuar gjashtë muaj më parë për vrasjen e tij. Ashtu sikurse në mbledhjen e shkuar, Këshilli ishte nën kryesimin e nënkryetarit të Kuvendit Vangjel Dule, pasi Meta është tërhequr për të shmangur konfliktin e interesin, duke qenë se është personi ndaj të cilit Doshi pretendon se ka paguar për vrasjen e tij dhe të demokratit Mhill Fufi. Kjo mbledhje vjen në vijim të takimit të së shtunës, i cili u shty pasi dy kolegët kërkuan kohë të njihen me materialet e organit të akuzës.