Manja:Më 22 shtator vendi do ketë ligjin për hetimin e zyrtarëve të lartë. ‘Neni 13, për mediat është riformuluar’
Anëtari i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi Ulsi Manja në një prononcim për mediat ka thënë sot se më 22 shtator Shqipëria do të ketë ligjin për hetimin e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë. Sipas Ulsi Manjas, ky ligj do të miratohet në frymë të ndryshimeve kushtetuese të bëra më 22 korrik dhe ligjit të Vettingut. “Sa i përket Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion mund të them me siguri se nesër në komision do të ketë votim të projektligjit. Sot për këtë kemi pasur diskutime mes mazhorancës dhe opozitës. Kemi rënë dakort që ekspertët e OPDAT të njihen me ndryshimet. Nesër do kemi një votim në tërësi të këtij projektligji. Javës që vjen Shqipëria do të ketë të parin ligj që do merret me hetimin e veprave penale të krimit e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë. Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Gjykata e Posaçme që do merret me gjykimin e këtyre veprave. Parlamenti do iu dhurojë shqiptarëve një ligj të posaçëm për funksionimin e institucioneve që hetojnë zyrtarët në kuvend. Diskutimi sot ka qenë konstruktiv, i hapur, në frymën e dialoguar dhe jemi dakortësuar, do rrimë brenda kornizës kushtetuese që ne e kemi miratuar me unanimitet. Gjithçka që është sugjeruar është brenda frymës së kushtetutës dhe ligjit për Vettingun” tha Ulsi Manja. I pytur mbi nenin 13, pika 3, ku sipas versionit të parë cenonte lirinë e medias, Manja ka thënë se ky nen është riformuluar sipas ligjit dhe kushtëtutës, menjëherë pas takimit që kreu i komisionit Fatmir Xhafa ka pasur me përfaqësues të medias. “Neni 13, pika 3, që ishte të bënte me mediat është riformuluar në frymën e dakortësisë që Xhafa pati me përfaqësuesit e medias, ai është riformuluar në frymën e kushtetutës” tha ai. Burime brenda këtij komisioni bën të ditur se, sot anëtarët kanë diskutuar dhe kanë bërë riformulime që reflektojnë të gjitha shqetësimet e Partisë Demokratikë. Të njëjtat burime thonë se është lënë vetëm një çështje e hapur, për të cilën me OPDAT është rënë dakord paraprakisht.Në tërësi do votohet në një moment të dytë.