Në takimin e zhvilluar në kuadër të “Ditës së Drejtësisë”, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se qeveria mbështet pa rezerva institucionet e drejtësinë. Ministri tha se prokurorët dhe gjyqtarët duhet ta shohin punën si një “detyrë patriotike” në kushtet kur qytetarët presin me vite të zgjidhin çështjet.

“Ma bëni hallall se gjyqtarët nuk i kanë qejf fjalimet e gjata, por do bëjmë si do bëjmë. Pa një drejtësi që mbron të drejtat dhe liritë e qytetarit nuk do kemi kurrë demokraci dhe zhvillim ekonomik. Nuk mund të lë pa përmendur reformën në drejtësi që dita ditës po konsolidon veten dhe po kthen besimin te qytetarët.

Këto institucione të posaçme kanë prodhuar rezultate të prekshme. Vettingu në sistemin e drejtësisë nga magjistratë me probleme dhe SPAK në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve apo puna e këtyre dy institucioneve ka marrë vëmendjen e shumë prej nesh dhe opinionit publik. Gjej rastin që në këto ditë të falenderoj organet e vettingut që po mbyllin me sukses punën për këtë proces më delikate të kësaj reforme. Kjo nuk mjafton të themi se reforma në drejtësi quhet punë e kryer.

Sa na takon si qeveri dhe si shumicë parlamentare, do të mbështesim pa rezerva konsolidimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe të një drejtësie të pavarur. Deri në plotësimin e vakancave me kolegë të rinj, duhet ta konsideroni punën për uljen e stokut të dosjeve një detyrë patriotike në kushtet kur qytetarët presin me vite të zgjidhin çështjet. Ky është dhe duhet të jetë thelbi i identitetit tonë si shërbëtor publik por nuk duhet të bëhet në kurriz të cilësisë së drejtësisë. Rrugëtimi evropian i Shqipërisë, përveç se shtron para nesh domosdoshmërinë e bërjes së detyrave të shtëpisë në përqasjen e legjislacionit me atë të BE, roli i organeve të drejtësisë është i pazëvendësueshëm. Një Shqipëri e denjë, pjesë e BE-së, kërkon konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe ju keni kontributorët e punës për kapitullin e gjyqësorit.

Fakt që sot kemi një sistem drejtësie me një arkitekturë moderne. Kemi ende sfida me të cilat përballemi çdo ditë. Sistemi i drejtësisë të funksionojë si një i tërë, kur flitet për ecurinë e reformës në drejtësi perceptimi shkon te spak. Reforma në drejtësi nuk është vetting dhe spak por një ansambël i tërë organesh që kanë për mision kushtetues dhënien e drejtësisë.

Në përfundim kam një falenderim dhe një ftesë. Falenderim për punën e mirë që kemi bërë deri tani me konsolidimin e drejtëisë së re. Ftesa e sinqertë është që të vijojmë punën e mirë që kemi bërë deri tani. Presim nga drejtësia të bëjë drejtësinë e munguar prej kohësh”, tha ai.

Artikulli paraprak“S’MUND TË JESH KUNDËR KORRUPSIONIT DITËN, E KUNDËR SPAK-UT NATËN ”, BASHA: QËNDRIMI PËR HEQJEN E IMUNITETIT, PA EKUIVOK
Artikulli tjetërTONIGHT – 10.05.2024