500 emigrantë të tjerë, shumica sirianë, kanë zbarkuar në jug të Maqedonisë në qytetin Gevgelija, në afërsi të kufirit me Greqinë. Që aty ata morën trenin në drejtim të veriut të Serbisë, për të nisur më pas itinerarin e tyre të zakonshëm, Hungari, Austri dhe në fund Gjermani. Treni është vënë në dispozicion të tyre nga qeveria maqedonase për ti transportuar në kufirin verior të Serbisë, para se të akomodohen më pas në kapet e përkohshme serbe në jug të vendit.
Pas përdorimit të forcës, gazit lotesjellës dhe dhunës, veprime që u kritikuan ashpër nga personalitete europiane, Maqedonia hoqi dorë nga përpjekjet e saj për të frenuar rrjedhën e refugjatëve sirianë. Sipas të gjitha parashikimeve nga institucionet përkatëse, fluksi i emigrantëve që udhëtojnë nëpërmjet Ballkanit drejt Evropës veriore dhe perëndimore do të vijojë të rritet dhe mijëra të tjerë priten të mbërrijnë në Maqedoni e Serbi. Të paktën 2636 persona kanë humbur jetën në përpjekje për të arritur vendet e Europës perëndimore.
SHBA PËRGËZON KOSOVËN DHE MALIN E ZI PËR DEMARKACIONIN.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgëzojnë Qeverinë e Kosovës dhe të Malit të Zi për arritjen e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ndërmjet dy shteteve. Në një komunikatë të lëshuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, e cila i referohet edhe nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ndërmjet Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi, thuhet se këto marrëveshje do të kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin në Ballkan, si dhe në avancimin e rrugës integruese euroatlantike të rajonit. Këto marrëveshje, të nënshkruara gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor, do të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe do të avancojnë progresin e rajonit drejt integrimeve euroatlantike”, thuhet në komunikatën e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.