Sot Maqedonia voton. Mbi 1 milion e 770 mijë persona janë me të drejtë vote, të cilët do të vendosin për Parlamentin e ri në zgjedhjet e jashtëzakonshme, që pritet të zgjidhin krizën politike.
Ata do të zgjedhin 120 deputetët nga 11 lista politike. Maqedonasit dhe shqiptarët ndajnë probleme të ngjashme, por zgjedhjet i shohin vetëm si detyrim qytetar dhe presin zgjidhje nga politika. Pjesëmarrja në zgjedhje në Maqedoni zakonisht arrin maksimumin e interesimit ndër shtetet e rajonit. Zgjedhjet e jashtëzakonshme në një qeverisje të kritikuar dhe jo të qëndrueshme dhe protestat e opozitës kanë krijuar bindje të ndryshme, shpresë dhe dëshpërim për qytetarët. Të ndarë në dy pjesë gati, në qytetin e Shkupit, maqedonasit dhe shqiptarët kanë kërkesa të ndryshme, por probleme të ngjashme. Ata maqedonas presin të shohin se kush kishte të drejtë. “Presim, presim vetëm të jetë bukur”, tha një qytetar. “A do të bëhet më mirë? Mbase, vetëm shpresën kemi”, u shpreh një tjetër. “Politika na shpërndan trurin çdo ditë, por jetohet më mirë se më parë”, tha dikush. “Njeri pa gabime nuk ka, por ato që thotë Zaev për Gruevskin nuk më duken të vërteta”, tha një tjetër person. “Asgjë s’është mirë për ne, për punëtorët jo”, deklaroi njëri. Shqiptarët, kryesisht duan më shumë të drejta. Barazia për ta është shpresa. Maqedonia ka 3.480 qendra votimi dhe të gjitha ato i ruan policia. Sytë janë nga incidentet e mundshme. Shqiptarët, në zgjedhjet e fundit të vitit 2014 kanë pasur 238 mijë vota, ndërsa mendohet se numërojnë rreth gjysmë milioni votues.