Pritet të mbahet këtë të martë në Shkup seanca parlamentare për votimin e qeverisë së re të Maqedonisë. Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, njoftohet se i mandaturari për krijimin e qeverisë, Zoran Zaev ka dorëzuar propozimin e përbërjes së ekzekutivit të ri, bashkë me programin qeverisës.
Listën e tij të ministrave Zaev e bëri publike të djelën. Propozimet kanë marrë mbështetje nga partia e Zaevit, Lidhja Social-Demokrate dhe dy partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilat janë pjesë e koalicionit qeverisës. Dy partitë politike shqiptare do drejtojnë 7 ministri dhe një dikaster pa portofol. Konkretisht, BDI do të marrë dikasterin e Euro-Integrimeve, Ministrinë e Drejtësisë, atë të Ekonomisë dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe do ketë dhe ministrin pa portofol. Aleanca për Shqiptarët do të drejtojë dy ministri, atë të Shëndetësisë dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal. Votimi i qeverisë pritet të bëhet në ora 11, më shumë se pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, për shkak të bllokimit që iu bë formimit të ekzekutivit nga VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe presidenti Gjordje Ivanov.