Maqedonia mbron taktikën e ndjekur nga shteti i tij për mbylljen e kufirit me Greqinë por hedh poshtë keqtrajtimin e emigrantëve. Qeverisë iu desht të vepronte për shkak se 3500 emigrantë po hynin çdo ditë, por emigrantët nuk janë keqtrajtuar” thotë ministri i Jashtëm maqedonas Nikola Poposki për BBC. Nga ana e saj Amnesty International u shpreh se policia maqedonase me emigrantët po sillet si me kryengritës.
Por Poposki i tha BBC se nuk kishte parë pamje të emigrantëve që keqtrajtoheshin por se është dashur “ndërhyrja” pasi situata u përshkallëzua në “mënyrë dramatike” . Maqedonia ka deklaruar gjendjen e emergjencës në kufi. Mediat raportuan se se 10 persona janë plagosur nga gazi lotsjellës i trupave maqedone në fshatin Edomeni, afër kufirit me Greqinë.Pas dhunës, pamjeve të trishta dhe dhimbjes së azilkërkuesve ka edhe nga ata që duan të përfitojnë. Mediat maqedonase bëjnë të ditur se tregtarë lokalë maqedonas në Gjevgjeli po përpiqen tu shesin ushqime emigrantëve me çmime shumë të larta. Agjencia e lajmeve “Ina” shkruan se për gjashtë shishe me ujë emigrantët duhet të paguajnë 10 euro, për një copë çokollatë 5 euro. Përveç kësaj, një pako cigare shitet 5 euro e një kg banane 10 euro. Edhe Hekurudhat e Maqedonisë rritën çmimin e biletave për emigrantët nga 5 në 10 euro. Në zonën jugore të vendit vazhdon të jetë i mbyllur kufiri, ndërsa lejohen në raste të caktuara familje me fëmijë dhe gra.