Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se lufta në Ukrainë do të dominojë kryesimin e Maqedonisë së Veriut me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Osmani tha më 4 janar se komunikimi me Rusinë dhe nëse do të vendoset një dialog thelbësor, do të varet nga qëndrimi i Moskës ndaj parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së.
“Ne si kryesues nuk do të lejojmë asnjë kompromis sa i përket parimeve të OSBE-së që duhet të respektohen nga Rusia”, tha Osmani në një konferencë për media teksa prezantoi prioritetet që do të jenë në fokus të kryesimit njëvjeçar të Shkupit me OSBE-në. Ai tha se aktualisht nuk ka mision të OSBE-së në Ukrainë pasi Rusia vendosi veton ndaj misionit, por se Maqedonia e Veriut, sipas tij, do të duhet të gjejë një mënyrë për ta kthyer OSBE-në në Ukrainë.
“Ne do të duhet të gjejmë një mënyrë se si ta rikthejmë OSBE-në në Ukrainë, si të kontribuojmë për të bërë të mundur fillimisht vendosjen e paqes dhe më pas, natyrisht, për të zbatuar paqen dhe për t’ua lehtësuar jetën njerëzve. Fokusi do të jetë në mënyrën se si do të komunikojmë me Rusinë. OSBE-ja mund të jetë aktualisht e vetmja organizatë ku ka një lloj komunikimi me Rusinë dhe ne po komunikojmë me Rusinë, megjithatë në Vjenë, por se si do të jetë qasja e Rusisë ndaj parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së”, deklaroi Osmani. Ai theksoi se “ky mesazh i është dërguar qartë Rusisë dhe nëse vendos, t’i kthehet bashkësisë ndërkombëtare, nëse vendos t’u kthehet zotimeve dhe parimeve të bashkësisë ndërkombëtare, ndalesa e saj e parë do të jetë OSBE-ja dhe ne do të jemi këtu”. Fryma bazë e prioriteteve të Shkupit gjatë kryesimit me OSBE-në, sipas shefit të diplomacisë maqedonase, do të jetë forcimi i misioneve të OSBE-së. Nga gjithsej 12 misione të organizatës, theksoi Osmani, gjashtë janë në territorin e Ballkanit Perëndimor, nga të cilat, dy më të mëdhatë janë në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Në këtë kontekst, sipas tij, “fokus i veçantë do t’i kushtohet të ashtuquajturave konflikte të ngrira, të cilat për momentin mund të jenë të qeta, por nuk e dimë se kur mund të shpërthejnë”. Osmani tha se veç kësaj OSBE-ja si prioritet do të ketë edhe sundimin ë ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, si një çështje serioze që përcakton sigurinë.