Marina ukrainase ka thënë se tri anijet e konfiskuara nga Rusia pothuajse një vit më parë dhe të liruara më 19 nëntor, janë kthyer në kushte jashtëzakonisht të këqija në Kiev duke mos pasur kapacitet që të kthehen në port me fuqinë e tyre.
Admirali i marinës, Ihor Voronchenko, ka thënë më 20 nëntor se për shkak të kushteve, anijet janë duke u kthyer ngadalë me ndihmën e disa pajisjeve tjera.
“Nuk mund të lundrojnë të vetme. Rusët i kanë shkatërruar ato. Ne do t’i tregojmë gjithë botës barbarizmin rus ndaj tyre”, ka deklaruar, Voronchenko.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy do t’i presë anijet në portin Ochakiv më vonë.
Më 25 nëntor të vitit 2018, anijet e Gardës Bregdetare Ruse kanë sulmuar me armë zjarri dhe kanë zënë anijet bashkë me ekipet e tyre në Ngushticën e Kërçit, derisa kanë ato kanë qenë duke u kthyer nga Deti i Zi për në Detin Azov.
Kjo Ngushticë gjendet mes Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë që është aneksuar nga Moska më 2014.
Aneksimi i këtij Gadishulli dhe mbështetja e Rusisë për militantët separatistë që luftojnë në disa zona në lindje të Ukrainës, në të cilat janë vrarë më shumë se 13,000 persona, kanë ndodhur pasi protestat pro-evropiane kanë shtyrë presidentin e afërt me Moskën, Viktor Yanukovych që të largohet nga pushteti.
Ukraiana e ka cilësuar sulmin në anijet e saj në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Më 25 maj, një Tribunal i organizuar nga Kombet e Bashkuara ka urdhëruar Rusinë që menjëherë të lirojë ekipet bashkë me anijet, mirëpo Moska e ka injoruar këtë thirrje.
Ekipet e anijeve janë liruar më 7 shtator, në kuadër të një shkëmbimi të të burgosurve në mes të Rusisë dhe Ukrainës.