Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani ka nisur sot vizitën zyrtare në Shqipëri duke sjellë me vete “optimizmin” e Romës në Tiranë për marrëveshjen për emigrantët e nënshkruar në nëntor nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe kryeministri Edi Rama.
“Një marrëveshje kyç për politikën italiane të emigracionit, e bllokuar në tokën e shqiponjave nga Gjykata Kushtetuese, për të shqyrtuar paditë e opozitës”, shkruan agjencia italiane e lajmeve Ansa.
Detaje ka zbardhur edhe nga takimi i Tajanit me kryeministrin Rama.
“Në bisedën “e gjatë dhe pozitive” me Ramën “nuk e kam lejuar veten të kërkoj vlerësime për rezultatin” e shqyrtimit të Gjykatës, “nuk na takon ne të bëjmë presion apo të ndërhyjmë”, tha Tajani. Italia “respekton vendimin e Gjykatës dhe nëse është i favorshëm ne do të vazhdojmë”. Por ndërkohë, “dua të jem optimist, duke shpresuar që të ketë një përgjigje pozitive sa më shpejt”, nënvizoi zëvendëskryeministri, duke shpjeguar se marrëveshja përfaqëson “një shembull të bashkëpunimit të mirë mes vendeve europiane”, shkruhet në artikull.
Ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend, që pritej në seancën e ditës së 14 dhjetorit u pezullua derisa Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë padinë e bërë nga grupi Bardhi-Berisha.
“Ndalesa erdhi pasi opozita shqiptare paraqiti dy padi që ngrenë dyshime kushtetuese. Në veçanti, sipas paditësve, një marrëveshje e këtyre përmasave- me ndërtimin e dy qendrave të pritjes në tokën shqiptare, por të financuara dhe të menaxhuara nga Italia – parashikon një transferim të sovranitetit territorial dhe kërkon autorizimin e Presidentit të Republikës. Gjykata do të duhet të vendosë deri në mars, por vendimi pritet tashmë në seancën që do të mbahet në 18 janar. Nga ana shqiptare, kryeministri Rama ka thënë vazhdimisht se ka besim se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do jetë pozitiv për marrëveshjen”, shkruan Ansa.
Ndërkohë, Tajani vizitoi Shëngjinin, portin ku nëse gjithçka shkon mirë, do të ndërtohet struktura e pritjes të emigrantëve të parashikuar në marrëveshje.
Në pritje të Gjykatës shqiptare, shqyrtimi i projektligjit nga pala italiane për ratifikimin e marrëveshjen vazhdon, pasi Presidenti i Republikës Sergio Mattarella autorizoi paraqitjen e tij në Parlament.
“E informova Ramën se është miratuar një procedurë urgjente në Kuvend, ndaj vazhdojmë të ecim përpara”, siguroi ministri, i cili ndër të tjera përsëriti “Përkushtimin e fortë të Italisë për të mbështetur hyrjen më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 2030, datë e treguar nga Charles Michel”.