Marrëveshja e arritur ndërmjet David Cameron dhe udhëheqësve europianë është përshendetur nga britanikët, pasi vendi mori një status “special” në Union.
Pas një maratone bisedimesh në Bruksel, shefi i Londrës duket se arriti qëllimin e tij, të bindte liderët e tjerë për të hartuar një marrëveshje e cila zgjat për një periudhë 7-vjeçare dhe përfshin ndryshimin e traktateve të BE-së. Tashmë kryeministri David Cameron do të bëjë fushatë të vendosur për të mbajtur Mbretërinë e Bashkuar brenda Unionit në referendumin e qershorit, ku do i duhet të përballet edhe me parlamentarët që jane pro një “Brexit”. Statusi special i Londrës në Union u përshendet edhe nga presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Donald Tusk. E ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh se kjo marrëveshje kërkoi “shumë gatishmëri për të arritur në një kompromis”, por se kompromiset e tilla tha ajo, justifikojnë edhe lodhjen për shkak se qëndrimi i Britanisë brenda Unionit është ajo që ka një rëndësi të veçantë për ta.