Qendrat për pritjen e emigrantëve në Shëngjin e Gjadër pritet të hapen më 1 shtator, ndërsa nesër pritet testi i parë apo “prova gjenerale” për administrimin e qendrave nga punonjësit italianë. Punimet në Gjadër po vijojnë intensivisht që qendra të jetë gati për të pritur emigrantët në fillimin e muajit shtator.
500 persona, punonjësit e policisë italiane, karabinierët, policia financiare parashikohet të jenë në Shqipëri nesër për të testuar funksionimin e qendrave dhe zbatimin e protokollit mes dy vendeve. Testimi për mirëfunksionimin e këtyre qendrave do të japë edhe dritën jeshile për pritjen zyrtarisht të emigrantëve që do të shpëtohen nga autoritetet italiane në ujërat e Mesdheut duke nisur nga 1 shtatori.
Një rregullore e brendshme e publikuar për punonjësit e qendrës me 14 urdhëresa në total, për sjelljen apo raportin që duhet të kenë me popullin shqiptar gjatë qëndrimit të tyre apo ndërveprimit për shkak të punës.
Punonjësit italianë udhëzohen posaçërisht të mos flirtojnë me gratë shqiptare, pasi sipas rregullores burrat e tyre në rast se do të shohin apo marrin vesh diçka të tillë mund të reagojnë keq, duke e konsideruar shoqërinë shqiptare dhe kryesisht komunitetin në veri të vendit një shoqëri konservatore.
“Shqiptarët nuk duan të nënvlerësohen, ndaj mos u sillni kurrë me një qasje superioriteti”, është udhëzimi tjetër për punonjësit e qendrave të Shëngjinit dhe Gjadrit, duke evidentuar disa karakteristika të personalitetit të shqiptarëve.
“Shqipëria është një vend shumë i sigurt, nuk ekzistojnë krimet e vogla (s’ka vjedhje, grabitje, apo ngacmime seksuale) prandaj shmangni qëndrimet “në mbrojtje”, u këshillohet punonjësve italianë.
Por ka edhe nga ato udhëzime që në thelb mund të duken qesharake apo sjellje paragjykuese, duke u treguar se konsumimi i kafesë nuk është në banak, por vetëm ulur dhe se kjo është një traditë që duhet ta respektojnë me patjetër. Apo se në restorante duhet t’i përmbahen menusë pasi sipas udhëzimit kërkesat për ndryshime nuk janë të mirëpritura.
Dhe në fund, u kërkohet të kenë kujdes me mënyrën se si flasin gjatë qëndrimit në kamp apo komunitet.
“Kini kujdes se si flisni… pothuajse të gjithë shqiptarët dinë italisht!”, shkruhet në fund të rregullores së brendshme për punonjësit italianë.
Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR), do të monitorojë tre muajt e parë të zbatimit të marrëveshjes. Agjencia tha do të këshillojë emigrantët për të drejtën e tyre për të kërkuar azil dhe do të sigurohet që procedurat që do të përdoren të jenë “në vijë me standardet ndërkombëtare dhe rajonale për të drejtat e njeriut”.
Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatet nga territori shqiptar.
Sipas marrëveshjes me Italinë të nënshkruar mes dy qeverive më 6 nëntor 2023, porti i zbarkimit të refugjateve nga vendet e treta do të jetë Shëngjini, ku është ngritur qendra pritëse, ndërsa në Gjadër po ndërtohet kampi ku do të qëndrojnë deri në shqyrtimin e kërkesave për azil.