Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, gjatë prezantimit të projektligjeve të miratuara sot nga qeveria u pyet edhe në lidhje me marrëveshjen me Italinë për emigrantët dhe dërgimin e saj nga opozita në Gjykatën Kushtetuese. Manja tha se marrëveshja s’ka si të jetë anti-kushtetuese, pasi ka kaluar të gjitha filtrat para se të nënshkruhej nga dy kryeministrat.
‘Qëndrimi jonë dhe i kësaj marrëveshje e është e drejta e gjithë kujt ta çojnë në GJK. Por nuk ka si të jetë anti-kushtetuese kur ka kaluar të gjitha filtrat me palën italiane. Kjo marrëveshje ka kaluar të gjitha filtrat para se të nënshkruhej nga të dy kryeministrat.’- tha Manja.
Sa i takon çështjes Beleri dhe akuzave të Sali Berishës në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë, Manja tha se kjo është një çështje që i takon drejtësisë.
‘Në fakt të thamë të drejtën sinqerisht ka kohë që nuk e marr seriozisht Berishën pasi ka humbur sensin e kohës dhe të realitetit. Çështja Beleri është çështje që i takon drejtësisë edhe sa i takon çështjes së fundit. Në vendimin e Gjykatës së Lartë e keni arsyetimin e saktë që ka të bëjë me arsyetimin ligjor që ka mbajtur Ministria e Drejtësisë. Berisha ka kohë që është jashtë realitetit.’- tha Manja.