Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për lajmin e arritjes së marrëveshjes së re me Serbinë lidhur me dokumentet e identifikimit që do të njihen tashmë nga të dy shtetet, duke i dhënë jetë lëvijes së lirë të qytetarëve respektivë. Rreth tre orë pas njoftimit në Twitter nga Joseph Borrell, Kurti e ka falënderuar përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikën e Jashtme, emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak si dhe të dërguarin e posaçëm nga SHBA, Gabriel Escobar. Në veçanti, Kurti e ka falënderuar ambasadorin amerikan në Kosovës Jeff Hovenier për angazhimin dhe kontributin.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë”, shkruan Kurti në Facebook. Ai shtoi se fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti.
“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe durimin, posaçërisht në këto katër javët e fundit. Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”, thotë ndër të tjera Kurti.