Hyn në fuqi marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për pensionet. Duke filluar nga data 6 korrik 2024 kjo marrëveshje nis zbatimin ndërsa prej saj përfitojnë si shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali ashtu edhe shtetasit italianë që jetontë në Shqipëri. Nga kjo marrëveshje, përfitojnë rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë emigrantë që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj dhe rreth 4 mijë italianë që kanë leje qëndrimi në Shqipëri, përpos atyre që kanë biznese. Marrëveshja garanton që asnjë qytetar të mos humbasë asnjë ditë kontribute pavarësisht prej vendit ku ka punuar duke mundësuar krijimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet. Kështu bazuar në marrëveshje, shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali apo italianët që janë në Shqipëri, përfitojnë nga Sigurimi i Përgjithshëm i Detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar, trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar si artizanë, tregtarë, fermerë dhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet, ku përfshihen edhe tuberkulozi dhe barrë lindja, sigurimin e papunësisë.

Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, personat që janë në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore respektiv (shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri) duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës që ka derdhur kontributet. Po ashtu shqiptarët që kanë dalë në pension përpara 2024, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje. Për të marrë pension në Itali duhen minimalisht 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri duhen minimalisht 15 vite. Dhe me këtë marrëveshje të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen.

Ata që kanë 10 vite punë në Shqipëri, e më pas emigruan dhe bënë edhe 10 vite punë në Itali, do përfitojnë pension, duke marrë dy pensione: i pari nga Italia për aq vite punë që kanë atje dhe i dyti nga Shqipëria për vitet e punës që kanë bërë këtu. Pra secili shtet do paguajë sipas viteve të punës respektive. Por nga kjo marrëveshje ka përfitime të tjera që dalin nga ligjet italianë. Për shembull në Itali aplikohet e ashtuquajtura (Quote 103), nëse emigrantët kanë 38 vite punë, duke bashkuar vitet në Shqipëri dhe Itali, dhe mosha e tij është 65, atëherë ai del në pension direkt.

Artikulli paraprakE DIELA NË PLAZH/ KTHJELLIME NË TË GJITHË VENDIN, TEMPERATURA DERI NË 38 GRADË C
Artikulli tjetërVELIPOJË, OPERATORËT TURISTIK TË KËNAQUR