Me thirrjet “Marshojmë s’festojmë”, grupe veprimtarësh parakaluan të mërkurën në Prishtinë për të shënuar 8 marsin – ditën ndërkombëtare të gruas. Parakalimi nisi para Pallatit të Drejtësisë, ku veprimtarët tërhoqën vëmendjen te shkalla e lartë e dhunës ndaj grave në Kosovë.

“Si e mbijetuar e dhunës në familje, prej se kam raportuar rastin në vitin 2021 u bënë dy vite që po luftoj për drejtësi dhe të drejtat e mia. Për afërsisht dy vite jam me urdhër mbrojtje nga policia për shkak të dhunës psiqike sistematike nga dhunuesi. Unë qëndroj sot para jush si e mbijetuar e dhunës, si një grua e cila ka hasur shumë dhunë e padrejtësi, jo vetëm nga dhunuesi por edhe nga shteti”, tha Elmedina Hajdari, e mbijetuar e dhunës. Dhuna ndaj gruas është shqetësimi kryesor i veprimtarëve për të drejtat e grave në vend, krahas problemeve si mungesa e pavarësisë ekonomike të grave dhe pjesëmarrja e ultë e tyre në jetën publike. Adelina Tërshani nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës i tha Zërit të Amerikës se tetë marsi këtë vit e gjen Kosovën pa përmirësime në çështje të barazisë gjinore.

“Në të gjitha fushat fatkeqësisht gjendja nuk është e mirë, duke filluar nga pasiguria që gratë e kanë brenda hapësirave të tyre private, pastaj ato publike, dhunën, vrasjet që kanë ndodhur të shpeshta fatkeqësisht”, tha zonja Tërshani. Trajtimi i rasteve të dhunës ndaj gruas nga sistemi i drejtësisë në vend, vazhdon të jetë shqetësues, thotë ajo.

“Vrasjet e grave janë vrasje të paralajmëruara sepse shumicën e herave ne kemi parë që fajtorët për vrasjen e grave kanë qenë tashmë të lajmëruar në sistemin e drejtësisë, janë recidivistë, njerëz që e kanë përsëritur shumë e shumë herë këtë dhunë derisa pastaj po rezulton me vrasje dhe fatalitet për gratë”, thotë zonja Tërshani. Luljeta Demolli nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore, i tha Zërit të Amerikës se shkalla e lartë e dhunës ndaj gruas ndërlidhet me mungesën e pavarësisë së tyre ekonomike.

“Mendojmë që është e rritur për shkak edhe të papunësisë së grave dhe papunësisë së grave dhe si rrjedhojë vijmë edhe te jopavarësimi i grave ashtu që ato në një moment divorci ta zëmë të kenë një vend ku mund të shkojnë. Kjo është një problematikë ku nuk qëndrojmë sepse nuk merret seriozisht nga ana e shtetit”, tha ajo. Zonja Demolli thotë se shteti duhet të zhvillojë politika afatgjata për punësimin e grave.

“Ne kemi nevojë për politika afatgjate në punësim, jo për politika të cilat disa gra i mbajnë në kujdes dhe në shtëpi sepse paguhet pushimi i lehonisë për gratë që nuk punojnë, ose disa të tjera i largojnë nga shkolla për t’i vendosur në punë për shkak se ka ikur një numër i madh i punonjësve burra. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm që secila masë që vjen për punësimin e grave ta ketë një perspektivë gjinore sepse mund të bëjmë dëme të mëdha rrugës duke menduar që po punësojmë gra e t’i largojmë nga shkollimi”, thotë ajo. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave në vazhdimësi tërheqin vërejtjen te sfidat me të cilat përballen gratë në Kosovë, si dhuna në familje, mungesa e punësimit, ngacmimet seksuale dhe mungesa e arsimimit. Policia e Kosovës tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se gjatë muajit janar të këtij viti janë regjistruar 216 raste të dhunës në familje nga të cilat 177 janë raste kur gratë janë viktima, ndërsa në muajin shkurt janë regjistruar 188 raste të dhunës në familje ku 143 viktima janë gra.

Artikulli paraprakVENDIMI PËR VULËN E PD, REAGON KËSHILLI I LARTË GJYQËSORË
Artikulli tjetërME GOMONE DREJT ANGLISË, BIRN: REDUKTOHET POPULLSIA NË SHQIPËRI, SHUMICA E TË LARGUARVE TË RINJ